Edison Ypi: Femra perfekte - Shqiptarja.com

Edison Ypi: Femra perfekte

Edison Ypi: Femra perfekte

Foto ilustruese

Femra perfekte nuk duhet të jetë "kuq si molla". Përkundrazi, duhet të jetë e verdhë, e fikur, e vdekur. Kësisoj, lëkura e femrës perfekte duhet të jetë aq e lëmuar sa të mos lerë asnjë dyshim se nën të, pra nën lëkurë, femra perfekte nuk ka mish për prekje dhe ngrehje, por vetëm mermer për kënaqësi estetike, kqyrje dhe mahnitje.

Femra perfekte duhet të ketë sedere sferike si dy gjysmat e një bostani që gjatë ecjes njëra gjysëm ngrihet, tjetra gjysëm ulet si tik-taku i sahatit në pritje të ethëshme të ditës së Kijametit.

Leshtë e kokës dhe të gjithë leshrat e tjera ku i ka e ku s'i ka të femra perfekte, duhet tu ngjajnë ujvarave spektakolare që rrjedhin mbi faqe malesh teposhtë drejt lumit.

Goja e femrës perfekte duhet gdhendur sipas teknikave më të fundit të kirurgjisë plastike në përputhje me laryshinë e formës dhe relievit të brimave të  fundshpinës dhe fundbarkut.

Nëse pas trashjes së buzëve të gojës me mishin e bythës, dikujt i ikën dëshira për të puthur femër, kjo nuk ndodh për asnjë arsye tjetër veçse nga tmerri i fatkeqit të cilit i ra për hise të mos puthi buzën, por bythën e femrës perfekte.

Femra perfekte po s'pati gju si gjuri i kalit, nuk është femër perfekte, është katunare.

Femra perfekte mban thonjtë të zgjatur, të stilizuar. Për shkak të thonjve si kthetra, femra perfekte me plot të drejtë, thotë: Hej, mos më thoni të zë me dorë ndonjë send a ndonjë punë, ndonjë gatim për shembull, se me gjithë këta thonj, nuk mundem.

Sytë e femrës perfekte janë si dy vorbuj uji, ku po re' brenda, rrjedha të merr të gjallë në Prespë, të nxjerr të vdekur në Volorekë.

Sa i përket hundës, femra perfekte nuk mund të dalë në mixhliz me një hundë si, ta zemë, hunda me samar e Skënderbeut, por e gdhend me daltë, e bën si të katalogut.

Femra perfekte ndoshta pretendon më tepër, por teknikat e sotme me çvendosje mishrash nuk mundësojnë gjoks femre më të bukur se dy topa brumi byreku me nga një kumbanare secila në majë që dëgjohet në fund të botës kur litarin e të cilave e tërheq Kuazimodo, gungaçi që po puth gjoksin e Esmeraldës.

Nëse lartësia e shtatit të femrës perfekte lë për të dëshiruar, kompensohet me taka, lartësia e të cilave është e tillë që nëse prej atyre takave femra perfekte rrëzohet, dhimbja e coptimit të brinjëve që provon, është e krahasueshme me lemerinë e dhimbjes kockave që thyen kur bie nga një grataciel.

Ku ndodhet Skrapari, çfarë ka interesante në Shkodër, ku bie Bashtova dhe kalaja omonime, çfarë prodhojnë Myzeqeja, Zadrima, Dibra, Devolli, pse janë të famshme Mokra dhe Tropoja, pse s'duhen lënë pa u parë Thethi, Vermoshi, Vjosa, Këlcyra, Goliku, Mallakastra, duke qënë çështje që rrezikojnë ekuilibrin psiqik të saj, femra perfekte nuk është mirë t'i dijë.

Nuk është mirë gjithashtu që femra perfekte gjatë udhëtimeve të hajë bukë me djathë shoqëruar me dhallë. Ajo zjarrin e urisë sl brendëshme duhet ta shuaj si i ka hije. Nëpër restoranta, ku mes vringëllima thikash, krisma pjatash, vizëllime gotash, përplasje lugësh dhe pironjsh, pret të vijë kamarieri të sjelli nice fish.

Kur femra perfekte s'di asgjë, por i duhet të thotë diçka, e kapërxen këtë situatë duke qeshur si e marrë, duke hedhur flokët sa nga njëra anë e kokës në tjetrën, duke ndërruar këmbën mbi këmbë. Për aq kohë sa ata që e rrethojnë të japin shenja të sigurta që nëse ky teatër absurd vazhdon edhe pak, do futen në kuzhinë të therin veten me ç'të gjejnë: Heqësen e tapave të birrës, thikën e bukës, hapsen e kavanozave, qëruesen e patateve.

Veshit të femrës perfekte i mjafton të mos ketë brenda dyll, dhe të mos jetë llapush. Në mos, drejt e te klinika, kirurgu, bisturia.

Femra që ka lexuar qoftë edhe 1 roman në jetën e vet, s'është femër perfekte, është femër halabake.

Pas pak të gjitha femrat do bëhen femra perfekte, të gjitha femrat do jenë 1 femër.

Rroftë e qoftë femra perfekte që duke qënë 1, pra duke munguar tjetra dhe të tjerat, do zhduki përgjithmonë, bashkë me dallimet jashtëme, edhe papërsosmëritë e brendëshm, zilinë, xhelozinë, pabesinë, intrigën, cilësi këto që karakterizonin femrën jo perfekte, e cila do vdesi përgjithmonë, dhe bota do bëhet më e bukur, më simetrike, më në përputhje me Serinë e Fibonaccit, po do e mbulojë zia, se do jetë e pashijshme.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pranvera Kapllani: 19/12/2024 08:52

    Zoti ose sistemet e ndryshme duhet të kishin bërë të mundur që njerëzimi të jetonte sipas teorive,ideve e besimeve të ndryshme.Të gjitha arritjet>e shëmtuara kanë ndodhur duke shfrytëzuar pjesën tjetër të popullsisë.Për shpenzimet e operacioneve plastike,e qefet e kategorive që ju i përshkruani me pasion,është rrënuar ose vjedhur dikush tjetër.Edhe llojet e buzëve që ju ka zënë meraku juve,duhet t'i kenë bërë që t'ju lehtësojnë punën atyre që më herët u kanë puthur të pasmet.Që nga krijimi i njerëzimit ka patur kategori të tilla po ishin të pakta.Jetonin në periferi të zonave të banuara,në sallonet e aristokratëve,për t'u argëtuar burrat sipas kategorive.E keqja është se në ditët e sotme gjenden kudo,në qeveri,në arsim, në detyrë.e.tj.Mos o zot n.q se nuk janë në qef,kërkojnë rritje rroge se nuk u mjafton ajo që marrin për të kryer detyrat e caktuara,përveç të tjerave mund t'u prishen e thonjtë.E dini ju sa shpenzohet për ata thonj,shumë më tepër se pensioni i thjeshtë i atyre që u ka dalë shpirti duke kryer detyrat e ngarkuara.Aparatet e të privilegjuarve për masazhe,trajtime,depilime e.t.j funksionojnë më mirë se ato të kujdesit shëndetësor për popullin,ka mundësi edhe ditët e pushimeve.Nuk ka ndonjë padrejtësi këtu,thjesht kanë magnet më të fortë që tërheq investimet në industrinë e argëtimeve.Popujve do u duhet të paguajnë prapë për sëmundjet e tyre,do u çpifet patjetër ndonjë sëmundje me gjithë këto trajtime e lëndë të huaja.Do na duhet t'u qajmë edhe hallin po mbijetuam në gjithë këtë shoqëri kancerogjene.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit