Pep Guardiola ia ka dalë të fitojë 19 trofe në tetë vite me Manchester Cityn, gjashtë nga të cilat Premier League dhe një Champions League. Paçka shifrave dhe trofeve që për këdo do ishin mbresëlënëse, trajneri spanjoll "po kryqëzohet" pasi në 12 javët e fundit ka vetëm një fitore.
Disfata e fundit 2-1 kundër Aston Villas është komentuar sërish nga Guardiola, i cili kërkon zgjidhje dhe jo justifikime.
“Humbëm, tani duhet të mendojmë për Evertonin dhe jo për më shumë se kaq. Humbëm një tjetër ndeshje dhe tani duhet të mendojmë se çfarë të bëjmë, pasi kemi fituar kaq shumë. Jam këtu për të dhënë përgjigjen time, jo për t’u justifikuar e mbrojtur me mungesat e shumta, si rezultat i dëmtimeve në masë të lojtarëve. E kam thënë që kur humb kaq shumë ndeshje, duhet të marrësh përgjegjësitë. Futbolli është një biznes dhe duhet të fitosh”, tha ai.