Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e zëvendeskryetares Vasilika Hysi zhvilloi takimin e radhës së Rrjetit kombëtar për edukimin ligjor të publikut, të ngritur nën kujdesin dhe drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e saj Hysi vlerësoi punën e bërë nga ministria e Drejtësisë dhe organizatat e shoqërisë civile për përgatitjen e planit të veprimit 2020–2023, në zbatim të Strategjisë së Edukimit Ligjor për Publikun, si pjesë e paketës së akteve ligjore të hartuara në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave pak ditë më parë.
Njëkohësisht ajo vlerësoi kontributin e Kuvendit, të ministrive të linjës dhe të Rrjetit kombëtar për edukimin ligjor të publikut gjatë konsultimit publik të planit të veprimit. Zbatimi i planit të veprimit do të mbulohet kryesisht nga buxheti i shtetit.
Donatorë, organizatata të shoqërisë civile do të kontribuojnë gjithashtu në financimin dhe zbatimin e planit të veprimit. Ky fakt u vlerësua nga Hysi dhe pjesëmarrësit në takim.
Plani i veprimit i miratuar u prezantua nga zëvendesministja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni. Në fjalën e saj u shpreh se:
“Përmirësimi i kurrikulave të arsimit parauniversitar me njohuri ligjore të përshtatura sipas grupmoshës, rritja e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për të ofruar informacion me njohuri ligjore për qytetarët, jetësimi i programeve specifike për edukimin ligjor të publikut he hartimi i materialeve informuese për ligjet me interes për publikun janë disa nga risitë e planit të veprimit”.
Zbatimi i planit të veprimit do të monitorohet nga Ministria e Drejtësisë e cila do të raportojë në Kuvend. Duke vlerësuar rëndësinë e edukimit ligjor të publikut, pavarësisht vështirësive të gjendjes së fatkeqwsisë natyrore dhe pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Kuvendi krijoi Rrjetin e edukimit ligjor të publikut, Komitetin drejtues të rrjetit, Bordin këshillor të përbërë nga përfaqësues të Kuvendit, të institucioneve të pavaruara, institucioneve përgjegjëse në fushën e informimit dhe edukimit ligjor, shoqëria civile dhe media.