Operacioni 'Milano', sekuestrohen në Tiranë 2 mln euro pasuri të ardhura nga krimi! Pronari zotëronte një kafene në Kombinat dhe të një kompanie uji
Dy milionë euro pasuri të Kristaq Mauhmutajt, të dyshuara të ardhura si pasojë e aktiviteteve kriminale janë sekuestruar me vendim gjykate. Bëhet fjalë për një subjekt të prodhimit të ujit, një bar kafe, ndërtesë katërkatëshe dhe tokë arë. Mahmutaj është ekstraduar në Itali në mars, i dënuar për trafik droge.
Redaksia2 Dhjetor 2021, 14:40 | Përditesimi: 2 Dhjetor 2021, 19:01
TIRANË- Pasuria me vlerë prej rreth 2 milionë euro, në pronësi të Kristaq Mahmutaj, 55 vjeç, është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Tiranës, në kuadër të operacionit “Milano”. Këto pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dyshohet se janë rrjedh e veprimtarive kriminale që Mahmutaj ka kryer ndër vite.
Të sekuestruara janë një ndërtesë katërkatëshe, një sipërfaqe trualli, dy sipërfaqe tokë are, një subjekt me veprimtari në fushën e prodhimit të ujit të pijshëm, uji “Jurman” dhe bar-kafeja “Milano” në zonën e Kombinatit. 55-vjeçari akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Kristaq Mahmutaj është ekstraduar në drejtim të Italisë në datën 15 mars të këtij viti, pasi është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafik droge”. Gjatë kohës që ishte në kërkim, ai është dënuar në Itali për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Verifikimi i pasurisë ka nisur pas kërkesës së autoriteteve italiane për t’a arrestuar. Në fund të hetimeve nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Policinë e Tiranë u provua se pasuritë e 55-vjeçarit dyshohet se rrjedhin nga të ardhura të trafikimit të drogës.