Trump paralajmëron: Kushdo që lind në SHBA nuk do të marrë më automatikisht shtetësinë amerikane - Shqiptarja.com

Trump paralajmëron: Kushdo që lind në SHBA nuk do të marrë më automatikisht shtetësinë amerikane

Donald Trumo

New York - Kushdo që lind në Shtetet e Bashkuara nuk do të marrë më automatikisht shtetësinë. Ky është qëllimi i Trump, nëse arrin të anashkalojë Kushtetutën, duke i dhënë fund praktikës së “shtetësisë me lindje”. Këtë e ka konfirmuar vetë ai, pas parashikimeve të publikuara nga mediat, gjatë një interviste të transmetuar të dielën nga NBC.

Nga Obama e deri më sot

Trump është shumë i motivuar për këtë çështje, jo vetëm sepse e konsideron pjesë të planit të tij për të kufizuar emigracionin, por edhe sepse karriera e tij politike filloi duke vënë në dyshim nëse Barack Obama ishte vërtet qytetar amerikan. Për më tepër, çështja e shtetësisë së fituar përmes lindjes lidhet edhe me udhëtimet e nënave që vijnë të lindin në SHBA, nga Kina dhe vende të tjera, me qëllim që të sigurojnë pasaportë amerikane për fëmijët e tyre dhe përfitimet që lidhen me të.

Kushtetuta

Problemi qëndron në faktin se “shtetësia me lindje” është përcaktuar në vitin 1868 nga Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës, sipas të cilit “të gjitha personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara, dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara”. Për të shfuqizuar këtë praktikë, pra, do të duhej të ndryshohej Kushtetuta, gjë që kërkon një shumicë të kualifikuar në Kongres, të cilën republikanët nuk e kanë, si dhe miratimin e tre të katërtave të 50 shteteve amerikane.

Megjithatë, Trump nuk dorëzohet: “Duhet t’i japim fund kësaj praktike. Është qesharake”. Në intervistën për NBC, ai tha se kishte dashur ta bënte këtë me dekret gjatë mandatit të parë, por më pas Covid-i imponoi prioritete të tjera. Tani ai ka ndërmend ta provojë përsëri, përmes një dekreti. Dhe nëse kjo nuk do të mjaftojë, do të kërkojë të ndryshojë Kushtetutën: “Nëse është e nevojshme, do t’i drejtohemi popullit për ta bërë këtë”.

Dreamers

Në intervistë, Trump tha gjithashtu se është i gatshëm të bëjë diçka për të shpëtuar “dreamers”, pra banorët e Shteteve të Bashkuara që janë sjellë ilegalisht në vend nga prindërit e tyre kur ishin fëmijë, por që janë rritur në Amerikë pa asnjë kontakt me vendet e origjinës së baballarëve dhe nënave të tyre. Megjithatë, ai përsëriti synimin për të urdhëruar “deportimin më të madh të emigrantëve ilegalë në historinë e vendit tonë”, duke filluar nga kriminelët. Ai kërcënoi gjithashtu të ndjekë kundërshtarët e tij politikë përmes rrugës gjyqësore.

Në rastin e presidentit Biden dhe familjes së tij, “është çështje për të parë nëse kanë kryer diçka kriminale”. Ndërsa në rastin e prokurorit Smith, i cili e ka paditur atë, ose ish-deputetes republikane Liz Cheney, e cila votoi për shkarkimin e tij dhe mori pjesë në Komisionin hetimor të Kongresit, Trump mendon se duhet të veprojë: “Ajo që më kanë bërë mua, përdorimi politik i drejtësisë, është i papranueshëm”. Zgjedhja do t’i takojë sekretares së Drejtësisë, Bondi, por vullneti i presidentit është i qartë.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit