“K’cimi i Tropojës”, pasuri e botës! Si e ruajnë shqiptarët e si mund ta mësoni kërcimin festiv plot ritual dhe ritëm! Etnografi Haklaj: Jo thjesht valle!

6 Dhjetor 2024, 12:39

Këta kërcimtarë të rinj të Ansamblit ‘Folk-Trevar” janë trashëgimtarët e një pasurie të madhe të shpirtit shqiptar, tashmë pasuri e gjithë botës. “K’cimi i Tropojës”, për Skënder Haklajn, nismëtar i grupit të punës për hartimin dhe dorëzimin e dosjes në UNESCO është shumë më shumë se një valle.

“Duhet ta kuptojmë që nuk është valle. K’cimi i Tropojës flet vetë. Është pjesë e brendshme e ritualit, ndërsa vallet janë pjesë sipërfaqësore e ritualit. Pse e brendshme? Sepse flet për ritualin, flet për ritet, për legjendat, tragjeditë, për vetë kulturën e atij populli që jeton në atë mjedis të mrekullueshëm.”, - thotë Haklaj.

Ndër shekuj element identifikues i krahinës së Tropojës, sot, asnjë prej ceremonive festive tradicionale kudo në trojet shqiptare, si: dasma, fejesa, ditëlindje, festa fshati dhe raste të tjera shoqërore, përfshirë ato që janë më pak zyrtare, dhe shpesh mjaft spontane, nuk mund të mendohet pa “K’cimin e Tropojës”.