Përplasja për mandatin e Zaçajt, avokati Kara: E nxitur nga Berisha! Ligji i qartë, mandati i përfundon më 10 mars

13 Dhjetor 2024, 18:49

Avokati Romeo Kara komenton në Report Tv çështjen e mandatit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Sipas tij, ligji e shpreh qartë që mandati i përfundon më 10 mars 2025 dhe jo në fund të vitit 2025, siç Zaçaj këmbëngulte.

Sa i takon përfshirjes së politikës mbi këtë çështje, Kara ndalet tek sulmet që Berisha bëri sot ndaj Gjykatës së Lartë duke marrë në mbrojtje Zaçajn. Kara thotë se kryetarja e Kushtetueses mund të ketë qenë e suportuar apo e nxitur nga kjo pjesë e politikës shqiptare.

“Ky rast nuk lë mundësi për të kaluar në një ironi të fatit, që vetë Gjykata Kushtetuese dhe kryetarja e saj, kërkon të bëjë interpretim nga Komisioni i Venecias. Kjo është e qartë, s’ka ambiguitet në shprehjet ligjore. Në këtë rast ka qenë vetëm Berisha që ka goditur, duke goditur Sokol Sadushin. Përveç se ka denigruar me emër ka kërkuar edhe hesap për nisjen e procedurës së vakancës. Ndërhyn dhe jep mend për procedura ligjore edhe pse ka rreth vetes tutkunët më të mëdhenj juridik. Mund të ketë qenë e suportuar apo nxitur edhe nga kjo pjesë e politikës shqiptare. Ka bërë mirë që e ka kuptuar dhe është tërhequr”, tha Kara.

SI.E./Shqiptarja.com

  •