Kuvend, Stomatologue farmacisti me urdhër të ri - Shqiptarja.com

Kuvend, Stomatologu
e farmacisti me urdhër të ri

TIRANE - Në pak minuta kuvendi i Shqiperisë pa praninë e opozites miratoi projektligje e vendosura në rendin e ditës. Me votat e mazhorancës u miratuan dy projektligje në fushën e shëndetësisë që rregullojnë mbarëvajtjen e profesionit të stomatologut dhe farmacistit në Shqipëri. Ky ligj parashikon krijimin më vete të këtij Urdhri, duke përcaktuar qartë mënyrat e zgjedhjes së organeve drejtuese, të funksionimit të tyre si dhe statusi i Urdhrit si ente publik profesional i pavarur që rregullon profesionet në fushën e stomatologjisë.
 
Referuar projektligjit të shëndetësisë thuhet se krijimi i Urdhrit të Stomatologut nënkupton shkëputjen e tyre nga Urdhri i Mjekut.
 
Ndërsa Pr/ligji tjetër “Për Urdhrin e Farmacistit” ka risi kryesore riformatimin e Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistëve, përcaktimin e bashkëpunimit të urdhrit me institucionet e tjera të administratës shtetërore, me ato të arsimit të lartë, si dhe përcaktimi më i qartë i zgjedhjes së Presidentëve të Urdhrit.
 
Në këtë seancë është miratuar edhe projektligji që parashikon ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”. Ndryshimet kanë të bëjnë me moslejimin e ndërtimeve me apo pa leje në tokat bujqësore. Por dhe për të ndaluar veprime të tjera që dëmtojnë tokat bujqësore, ato turistike apo dhe sipërfaqe të cilësuara të rëndësisë strategjike në zhvillimin ekonomik të vendit.
 
Kuvendi ratifikoi me 73 vota marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe që i shërben zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit